Tinitus (Zhurma në vesh)

Tinitus (Zhurma në vesh)

Tinitus

Tinitus është perceptimi subjektiv i një tingulli ose zhurme, në mungesë të një tingulli ose zhurme të jashtme reale, korresponduese. Tinitus nuk përfaqëson një sëmundje, por simptomën (shenjën) e një sëmundjeje.

Shkaqet
Më parë mendohej se tinitus (zhurma në vesh) shkaktohej nga një problem i furnizimit me gjak të veshit të brendshëm. Më pas, shkencëtarët zbuluan se ai nuk shfaqej në veshin e brendshëm, por në tru. Shkaqet e dëmtimit të përbërësve të nervit të dëgjimit janë të shumtë. Në varësi të dëmtimit, zhurma në vesh mund të jetë e përkohshme ose e qëndrueshme.

Në shfaqejen e tinitusit mund të ndikojnë situatat e mëposhtme:

  • Çrregullimet e veshit të mesëm, ku përfshihen: grumbullimi i dyllit, trupat e huaj, shpimi i membranës timpanike, inflamacioni i tubit të Eustakit, etj.
  • Çrregullimet e veshit të brendshëm, ku përfshihen: traumat e lidhura me dëgjimin (siç ndodh në rastin e diskotekave, kufjeve, udhëtimit me automjet me xhama të hapura), përdorimi i medikamenteve toksike.
  • Prania e stresit
  • Sëmundja Menier
  • Shurdhimi i papritur
  • Çrregullimet e dëgjimit të lidhura me moshën
  • Ngurtësimi i kanalit të veshit (otoskleroza)
  • Anomalitë e enëve të gjakut
  • Prania e tumoreve në rrugët e dëgjimit
  • Faktorët e jashtëm të lidhur me veshin, si problemet e apartatit lokomotor (nofulla, muskulatura e qafës, shtylla kurrizore), diabeti, presioni i gjakut shumë i lartë ose shumë i ulët (hipertensioni ose hipotensioni arterial).

Simptomat
Pacienti me tinitus (zhurmë në vesh) paraqet këto simptoma:

Tinguj ose zhurma të ndryshme, të tipit fishkëllima ose zukatje
Tingujt ose zhurmat mund të jenë të vazhdueshme, të ndërprera, të ndryshueshme, dhe me shpeshtësi të ndryshme.
Shpesh ankon për ulje të dëgjimit
Ndonjëherë pacienti paraqet marrje mendsh

Diagnoza
Diagnoza e tinitus (zhurmës në vesh) përcaktohet nga mjeku specialist otojatër (ORL- otorinolaringolog), i cili bazohet në:

  • Simptomat e pacientit dhe të dhënat e hollësishme rreth mënyrës dhe kohës së shfaqjes së tyre
  • Egzaminimin e hollësishëm me sy të lirë të qafës, hundës dhe të veshëve
  • Vlerësimin e saktë të shkallës së dëgjimit (audiometria)
  • Kontrollin e ekuilibrit
  • Përcaktimin e aftësisë së maskimit të zhurmës: pacienti dëgjon tinguj të ndryshëm dhe tregon kur ai nuk e dëgjon më zhurmën tipike.
  • Analizat e gjakut
  • Matjen e presionit të gjakut
  • Rezonanca magnetike ose skaneri i kokës.

Trajtimi
Trajtimi i tinitus (zhurmës në vesh) varet drejtpërdrejt nga forma e saj, nëse ajo është akute (e menjëhershme) apo kronike (e përsëritur, e shpeshtë).

Në rastin e zhurmës së veshit të formës akute (tinitus akut) rekomandohet:

Ndihma e shpejtë dhe korrekte kundrejt pacientit. Sa më herët të mjekohet një tinitus, aq më të mëdha janë mundësitë për ta shëruar atë. Strategjia e trajtimit në këtë formë përfshin këshillimin psikologjik të shpejtë dhe trajtimin mjekësor. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitohet shfaqja e formës kronike të tij.
Trajtimi mjekësor konsiston në përdorimin e substancave që favorizojnë qarkullimin e gjakut, të vitaminave, kortizonit, të një medikamenti anestezik (me aftësi mpirëse) lokal ose terapia me oksigjen. Asnjë studim shkencor nuk jep informacion të plotë se cili trajtim është më efikas në këtë drejtim.
Alternimi i periudhave të ngacmimit me ato të pushimit (qetësisë).
Zhurma e veshit konsiderohet kronike kur nuk shfaqet forma akute e saj. Shërimi i kësaj forme është ende i pamundur në ditët e sotme.

Në rastin e zhurmës së veshit të formës kronike (tinitus kronik):

Shumë pacientë mund të jetojnë normalisht, megjithë problemin e tyre. Trajtimi nuk jep rezultat në 90% të rasteve.

Nëse prania e zhurmave në vesh ndikon negativisht në cilësinë e jetës së pacientit, është i nevojshëm angazhimi i stafit mjekësor për të menaxhuar problemin, dhe për të edukuar pacientin që të vetmenaxhojë situatën. Pikat më të rëndësishme të trajtimit konsiderohen: pranimi i këtyre zhurmave dhe lufta kundër frikës prej shfaqjes së tyre. Vetmenaxhimi i situatës konsiston në fokusimin më tepër tek ulja e shkallës së vlerësimit të zhurmës nga ana e pacientit, sesa tek vetë zhurma.