DITA BOTËRORE E DËGJIMIT – 3 Mars 2024
NDRYSHIM I MENDËSIVE
Ta bёjmё kujdesin pёr veshin dhe dёgjimin tё prekshёm pёr tё gjithё!
Humbja e dëgjimit është një çështje e rëndësishme shëndetësore me një ndikim të madh tek individi, familja dhe një barrë e rëndë me kosto të lartë për shëndetin publik. Në Ditën Botërore të Dëgjimit, synohet të rritet ndërgjegjësimi për parandalimin e tij, por gjithashtu të theksohet se ndërhyrjet efektive dhe në kohë mund të sigurojnë që njerëzit me këtë tipologji të jenë në gjendje të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.
“Për të dëgjuar gjithë jetën, dëgjo me kujdes” do të fokusohet në rëndësinë dhe mjetet e parandalimit të humbjes së dëgjimit nëpërmjet dëgjimit të sigurt, me mesazhet kryesore të mëposhtme:
- Është e mundur të kesh dëgjim të mirë gjatë gjithë jetës përmes kujdesit ndaj veshëve dhe dëgjimit.
- Shumë shkaqe të zakonshme të humbjes së dëgjimit mund të parandalohen, duke përfshirë humbjen e dëgjimit të shkaktuar nga ekspozimi ndaj tingujve të lartë.
- ‘Dëgjimi i sigurt’ mund të zbusë rrezikun e humbjes së dëgjimit të lidhur me ekspozimin rekreativ ndaj zërit.
Humbja e dёgjimit mund tё rezultojё nga shkaqe gjenetike, komplikacione gjatё lindjes, disa sёmundje infektive, infeksione kronike tё veshit, pёrdorimit të disa mjekimeve specifike, moshimi, si dhe ekspozimi nё njё ambient tё zhurmshёm.
60% e humbjes së dëgjimit në fëmijëri ndodh nga shkaqe të parandalueshme.
Ndërhyrjet për të parandaluar, identifikuar dhe adresuar humbjen e dëgjimit janë kosto efektive dhe mund të sjellin përfitime të mëdha për individët.
Personat me humbje të dëgjimit përfitojnë nga identifikimi i hershëm, përdorimi i aparateve të posaçme, implanteve koklear dhe pajisjeve të tjera ndihmëse; gjuha e shenjave dhe forma të tjera të mbështetjes arsimore, sociale.
Shkaqet e humbjes sё dёgjimit dhe të shurdhёsisë
Mund tё ndahen nё tё lindura dhe tё fituara.
Shkaqe tё lindura
Janë ato që çojnё nё humbje tё dёgjimit qё nё lindje. Mund tё jenё gjenetike ose si pasojё e komplikacioneve që nëna mund të ketë gjatë shtatzënisё dhe lindjes, të tilla si:
- Infeksionet gjatё shtatzënisё, si rubeola dhe sifilizi.
- Lindja nënpeshë.
- Asfiksia nё lindje.
- Pёrdorimi gjatё shtatzënisё i disa medikamenteve tё ndaluara si: aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundёr malarjes dhe diuretikёt.
- Ikteri i shprehur (verdhёza) nё periudhёn neonatale, e cila mund tё dёmtojё nervin e dёgjimit tek i porsalinduri.
Shkaqe tё fituara
Si shkaqe të fituara (gjatë jetës) të cilat mund të çojnë në humbje të dëgjimit mund të përmendim:
- Sёmundjet infektive, si: meningiti, fruthi dhe parotiti (shytat).
- Infeksionet kronike tё veshit ( otitis media me efusion).
- Pёrdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike.
- Dёmtimet traumatike tё kokёs dhe të veshit.
- Zhurmat ekstreme, pёrfshirё zhurmat nё ambientin e punёs nga makineritё apo shpёrthimet, zhurmat nё ambientet ku jetojmё dhe frekuentojmë ( bare, klube nate etj.).
- Bllokimi i kanalit tё veshit me dyll apo me trupa tё huaj.
Te fёmijёt, otiti media kronik mbetet shkaku kryesor i humbjes sё dёgjimit.
Ndikimi qё ka humbja e dёgjimit tek individi
Njё nga ndikimet kryesore qё humbja e dёgjimit ka tek individi ёshtё paaftёsia komunikuese me tё tjerёt. Te fёmijёt me shurdhёsi, zhvillimi i tё folurit ёshtё i vonuar.
Humbja e dёgjimit dhe sёmundjet e veshit, tё tilla si “otiti media”, kanё efekte negative nё mbarëvajtjen e fëmijëve nё shkollё.
- Ndikimi social dhe emocional
Humbja e dёgjimit çon nё kufizim tё qasjes pёr shumё shёrbime. Gjithashtu, pёrjashtimi nga komuniteti ka njё ndikim domethënës nё jetёn e pёrditshme duke krijuar ndjenjёn e vetmisё, izolimit dhe nёnshtrimit, veçanёrisht tek individёt e rritur.
Nёse njё fëmije me shurdhёsi të lindur nuk i jepet mundёsia tё mёsojё gjuhёn e shenjave herët, ai/ajo do tё ndihet i pёrjashtuar nga ndёrveprimet sociale.
- Ndikimi ekonomik
Nё vendet nё zhvillim, fёmijёt me humbje tё dёgjimit rrallё ndjekin shkollёn. Tё rriturit me humbje tё dёgjimit kanё njё shkallё tё lartё papunёsie, duke patur njё kosto tё lartё pёr individin, familjen dhe shoqёrinё.
Parandalimi
Rreth 50 % e rasteve me humbje tё dёgjimit mund tё parandalohen. Strategjitë efektive që ndihmojnë në parandalimin e humbjes së dëgjimit janë:
- Vaksinimi i fёmijёve ndaj sёmundjeve si fruthi, rubeola, meningiti dhe parotiti.
- Vaksinimi i vajzave adoleshente dhe nё moshёn riprodhuese ndaj rubeolёs, pёrpara shtatzënisё.
- Testet depistuese pёr sifilizin dhe sёmundje tё tjera infektive gjatё shtatzënisё.
- Pёrmirёsimi i kujdesit ante dhe perinatal, duke pёrfshirё praktika tё testit tё dёgjimit qё nё lindje.
- Diagnostikimi i hershёm i fёmijёve me “otit media”, dhe marrja e trajtimit të duhur pёr kёtё diagnozё.
- Shmangia e pёrdorimit tё disa medikamenteve qё shkaktojnё humbje tё dёgjimit; me pёrjashtim tё rasteve tё dhёna nga specialisti, i cili monitoron gjendjen dhe ecurinё e mjekimit.